A1 Report - Sekuestro "Romano Port", në gjyq Piro Bare, s'shlyen 6 kredi

2015-08-21 46

TIRANE- Piro Bare, biznesmeni që u tentua të vritej duke përdorur një vrasës me pagesë, nga rivali i tij në biznesin e gazit Ilir Karçini, duket se ndodhet në vështirësi financiare, pasi një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri, kërkon sekuestrimin e pasurisë së tij.

Në kulmin e tensionit, përfaqësuesit ligjorë të bankës i janë drejtuar me një kërkesë gjykatës së Tiranës, ku kërkojnë nga kjo e fundit nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit, lidhur me kontratën e kredisë që kompania "Romano Port" ka marrë në 24 dhjetor të vitit 2007.

Pikërisht kjo kontratë kredimarrje duket se nuk është respektuar nga biznesmeni i gazit Piro Bare, i cili nuk ka arritur të paguajë detyrimet financiare.

Sipas burimeve bëhet fjalë për disa muaj që kompania nuk ka arritur të shlyejë kredinë, megjithëse nga ana e bankës është njoftuar në mënyrë të vazhdueshme.

Për pasojë sektori juridik i bankës, i është drejtuar gjykatës së Tiranës, ku kërkon nxjerjen e një urdhëri ekzekutimi, me qëllim nisjen e procedurave të sekuestrimit të pasurisë së kompanisë "Romano Port" që administrohet nga biznesmeni Piro Bare.