A1 Report - Porositi vrasjen e "pronarit" të Romano Port, kapet biznesmeni Ilir Karçini

2015-08-21 3

TIRANE - A1 Report ka siguruar planet e arrestimit të sipërmarrësit të kompanisë importuese të gazit "Prima Gaz" Ilir Karçini, i cili u arrestua sot nga skuadra speciale e policisë së kryeqytetit, me akuzën se kishte ofruar 120 mijë euro për të ekzekutuar konkurentin e tij që sipas burimeve pranë grupit të hetimit rezulton të jetë sipërmarrësi i Romano Port, Piro Bare.

Karçini kishte kontaktuar Andon Mëhillajn për atentatin, dhe ky i fundit ia kishte besuar dy vrasësve të grupit të tij me pagesë, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjikona.

Ky është atentati i dytë ndaj biznesmenit Bare, pas gushtit të vitit 2011, kur e shpëtoi vetëm sasia e vogël dhe e pallogaritur mirë e tritolit që i shpërtheu në makinë.

Vrasja e biznesmenit të hidrokarbureve, Piro Bare, ishte parashikur të kryhej në datën 25 janar pranë Kodrave të Liqenit Artificial por u parandalua falë arrestimit nga policia e Tiranës, po atë ditë të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.

Ilir Karçini, sipërmarrës i kompanisë importuese "Prima Gaz", është arrestuar në Tiranë, dhe më herët Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë në mungesë dhe në fshehtësi të plotë masën e sigurisë më burg për të.

Free Traffic Exchange