Pas më shumë se 2 muajsh, Prokuroria e Krujës vendosi të ballafaqojë Xhisiela Malokun me Rrexhep Rrajën, që dyshohet se ka dhunuar fizikisht 25-vjeçaren.
Maloku ka dhënë shpjegime për më shumë se 3 orë në prokurori, në lidhje me kallëzimin e bërë ndaj ish-të dashurit dhe më pas tërheqjen prej tij.
Burime nga prokuroria bëjnë me dije se, një nga qëllimet e rimarrjes në pyetje është bërë për të kuptuar nëse e reja ndihej e kërcënuar apo jo. Por mësohet se në përfundim të seancës së ballafaqimit dhe të marrjes në pyetje për 25-vjeçaren nuk është vendosur mbrojtje policore.
Tashme prokuroria e ka ekspertizën mjeko-ligjore, që vërtetoi pretendimet e vajzës në kallëzimin e parë, se ajo ishte goditur me qytën e pistoletës në trup, si dhe ishte djegur me cigare nga 24-vjeçari Rraja. Po kështu janë administruar edhe tabulatet telefonike të Malokut, për të parë komunikimet e saj me Rajën.
Ndërkohë zv/ministria e Brendshme, Romina Ruko, inkurajoi punën e Avokatit të Popullit për të verifikuar punën e punonjësve të policisë për rastin.
Shkeljet e konstatuara nga Policia dhe Shërbimi i Çështjeve të brendshme dhe Ankesave për dy oficeret Gentian Çitozi dhe Emiljano Nuhu që kanë marrë në pyetje Xhisiela Malokun do i bashkohen hetimit për akuzën ?shpërdorim detyre?.
Tv Klan