A1 Report - Dosja "Gjika", caktohet ekspert për verifikimin e dokumenteve

2015-08-21 0

TIRANE- Nis procesi gjyqësor ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika dhe 7 të pandehurit e tjerë të cilët akuzohen se kanë shkelur detyrën në dhënien e lejeve të ndërtimit.

Sot paradite Gjykata e Tiranës administroi provat shkencore si dhe caktoi një ekspert të Urbanistikës, Luiza Braha për të hedhur dritë mbi një vendim të këshillit të terrritorit ku prej vitit 2002 pengonte ndërtimet për të cilat Bashkia e Vlorës ka dhënë leje.

Kryetari i bashkisë së Vlorës ka qenë i pranishëm por nuk ka pranuar të prononcohet për median, duke preferuar të largohet nga dera e pasme e gjykatës. Ndërkohë që sot ishte seanca e parë gjyqësore, e këtij procesi, pas disa seancave të shtyra për shkaqe proceduriale.

Seanca nisi me administrimin e provave shkresore të prokurorëve Aurel Zara, Klodian Braha.

Në seancën e javës së kaluar gjykata rrëzoi kërkesën e Gjikës për të shpallur të pavleshme aktet dhe afatet hetimore të prokurorisë gjatë procesit të hetimit, duke I hapur rrugë gjykimit të çështjes. Procesi gjyqësor ka nisur që fundvitin e kaluar në Vlorë, por për shkak të ndjeshmërisë së procesit dhe detyrës apo reputacionit të Gjikës si kryebashkiak, prokuroria kërkoi që gjykimi të kryhej në Tiranë, ku dhe po zhvillohet.