A1 Report - Kërkesa për transferim të dosjes "Gjika" vjen në Tiranë

2015-08-21 1

TIRANE- Ka mbëritur në Gjykatën e Lartë, kërkesa e prokurorisë së Vlorës për transferimin e dosjes "Gjika" në një gjykatë tjetër, pasi në Vlorë gjithmonë sipas akuzës, nuk mund të zhvillohet një proces i drejtë dhe normal. Gazeta "Shqiptarja.com", tre ditë më parë publikoi lajmin e kërkesës për trasferim pasi prokurorët e çështjes me 8 të pandehur, e kanë ndjerë veten të kërcënuar dhe nën presion, gjatë seancës së parë gjyqësore.

Ditën e djeshme kërkesa ka mbëritur në Gjykatën e Lartë dhe se pritet që tashmë, të hidhet shorti elektronik me qëllim caktimin e gjyqtarëve që do gjykojnë kërkesën për transferim të dosjes penale në një rreth tjetër. Ndërsa në një kohë, kur prokuroria e Vlorës ka bërë kërkesën për transferimin e dosjes penale nga gjykata e Vlorës në një gjykatë të një rrethi tjetër, mësohet se dhe pjesa më e madhe e avokatëve të të pandehurve, në seancën e rradhës do dalin me një kërkesë për ndarjes e çështjes në dy dosje. Disa nga avokatët, do i kërkojnë gjykatës së Vlorës, që dosja të veçohet, pasi kemi të bëjmë me dy raste ku janë dhënë leje ndërtimi, dhe se përgjegjësia penale e 8 të pandehurve nuk është e njëjtë, pasi disa akuzohen për "falsifikim dokumentash" dhe disa të tjerë kanë akzuën e "ndërtimit të paligjshëm".