TIRANË - Tre të pandehurve të çështjes "Gjika" u kanë rënë akuzat pas amnistisë së bërë nga qeveria që hyri në fuqi në datën 10 prill 2014.
Gjithashtu dhe tre të pandehur të tjerë janë lehtësuar nga akuzat, pasi u ka rënë ajo e ndërtimit pa leje.
Kjo gjë është bërë e ditur gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Tiranës, gjatë zhvillimit të procesit të ngritur nga Prokuroria e Vlorës.
Nga sot e tutje kjo çështje do të ketë vetëm 5 të pandehur, mes tyre dhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.
Tre të pandehurit që kanë përfituar janë, Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj, Artan Ferhati. Sipas gazetarit Arsen Rusta që ndodhet në sallën ku po zhvillohet gjyqi, për 3 të pandehurit është rrëzuar akuza për "ndërtim të paligjshëm"
Ndërkaq, që akuzat për ndërtim pa leje u rrëzuan edhe për 3 të pandehur të tjerë. Nga sot e tutje, Gëzim Feta, Blerdi Licaj, Gentian Sherifaj, do gjykohen vetëm për veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve"
Gjatë seancës është dëgjuar dhe dëshmija e Artan Selimit, i cili për periudhën kur janë shtrirë hetimet ka qenë anëtar i Këshillit të rregullimi të bashkisë Vlorë.
Selimi deklaroi se nuk kujton me detaje se çfarë vendimesh janë marrë në mbledhjen e 15 korrikut të vitit 2010 në KRT-në e Vlorës, por tha se deri sa ka firmosur në procesverbal ka qenë i pranishëm në mbledhje.
Ndërkaq, gjatë zhvillimit të seancës së sotme të çështje "Gjika", asnjë nga të pandehurit nuk ndodhet në seancë mes të cilëve as kryetari i Bashkisë Vlorës, Shpëtim Gjika.