Report TV - Xhafaj: Hetim gjyqtarëve që u larguan nga vettingu! Gjoni: Ku janë 'peshqit' e mëdhenj?

2020-02-12 0

Ish-kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore Fatmir Xhafaj kërkoi që gjyqtarët dhe prokurorët që janë larguar nga sistemi me pasuri marramendëse duhet të hetohen si e kanë vendosur. Ai tha se kjo nuk bëhet me retorikë.

"Aktualisht kemi 130 gjyqtarë dhe prokurorë të larguar, nuk janë të njëjtat shkaqe ku është bazuar shkarkimi, një pjesë u shkarkuan për pasuri të jashtëzakonshme, produkt i vendimmarrjeve korruptive. Këta duhet të hetohen për pasurinë dhe vendimmarrjen, kjo nuk bëhet me retorikë, por me vendimmarrje. Nuk është gjë e lehtë, shumica janë të lidhur me politikën dhe kanë devijuar dhe mbyllur pa hetuar cështje të mëdha. Po i shohim ende në sistem, në prokurori, lojëra me cështje në hetim dhe gjykim. Shpresoj që ILD-ja prokurori i përgjithshëm, KLGJ dhe KLP të reagojnë. Duhet të distancohemi nga kjo praktikë" tha Xhafaj.

Ralf Gjoni akuzoi të gjitha palët për mungesën e zbatimit të reformës në drejtësi. "Donald Lu fliste për peshq të mëdhenj. Me të drejtë një qytetar bën pyetjen, ore ku janë peshqit e mëdhenj, mirë të mëdhenj jo, por as sardele nuk po kapim. Ku është drejtësia sot. Ka një dakordësi mes Ramës, Berishës, Metës, Bashës dhe Kryemadhit, që vijojnë dhe qëndrojnë në krye të politikës shqiptare, që drejtësia të mos funksionojë dhe reforma të zgjatet dhe shqiptarët të lodhen. Ku janë peshqit? Nëse reforma nuk jep rezultate brenda këtij viti, qeveria do të përballet me furinë e popullit. Kam frikë se do u skuqet faqja partnerëve nëse SPAK-u nuk do të japë rezultate brenda këtij viti" tha ai.