Këshilli i Rregullores dhe Mandateve në Kuvend ka vendosur në mbledhjen e sotme që Drafti për Reformën në drejtësi të kalojë në Konferencën e Kryetarëve për të vendosur futjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Rregullores, kryetari i komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj deklaroi se drafti për reformën do të kalojë për miratim në seancë. Xhafaj theksoi se pritshmëria e qytetarëve për këtë reformë është shumë e lartë, ndaj kjo gjë e kalon interesin e çdo individi apo force politike.
?Ajo çfarë ka shkruar Gramoz Ruçi është çfarë kanë kërkuar Paloka dhe Bylykbashi për dekriminalizimin, që produkti i komisionit parlamentar të kalonte në seancë dhe kjo po ndodh?, tha Xhafaj.
Ai ka theksuar se në rastin e dekriminalizimit, drafti kaloi në seancë me vetëm me 2 firma deputetësh, të Bylykbashit dhe Ballës, si kryetar dhe nënkryetar të komisionit të posaçëm parlamentar. ?Precedenti është njësoj sikur është një grup, ashtu edhe kur janë disa grupe. Nuk mund të thuash që kur jemi disa grupe ta bëjmë kështu, kur jemi një ta bëjmë ashtu. Rregullorja është një e vetme?, ka insistuar Xhafaj.
Ai ka sqaruar se, ?drafti do të hyjë në procedurë, më pas konferenca e kryetarëve do të vendosë që të hyjë në kalendar e pastaj do ta shqyrtojnë ligjvënësit?, në vartësi të disa aspekteve. Deputeti socialist ka shtuar më tej se, është momenti që për ndryshimet kushtetuese të shprehen grupet parlamentare.
?Komisioni ka përmbushur detyrën e tij. Dhe është në procesin kushtetues për t?ia kaluar Kuvendit. Komisionet e posaçme parlamentare janë komisione kushtetuese?, tha Xhafaj.