Report TV - "Drejtësia", Halimi: Marrëveshja politike, e mundshme nesër

2016-03-23 0

Bashkëkryetari demokrat i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Eduard Halimi, u shpreh sot se ka vullnet pozitiv mes palëve, për finalizimin gjatë ditës së nesërme të marrëveshjes politike ndërmjet mazhorancës e opozitës.

Pas mbledhjes së komisionit këtë pasdite, ai theksoi se çdo rekomandim i Komisionit të Venecias do të zbatohet dhe opozita për këtë do të insistojë. "Ramë dakord për çështjet e diskutuara si dhe kemi arritur marrëveshje për çështje teknike. Opozita është e vendosur që çdo parim i Venecias, do të implementohet. Ka vullnet pozitiv dhe shpresojmë që kjo të përmbyllë nesër dakordësimin politik. Nëse arrihet marrëveshja, reforma vijon me ekspertët", u shpreh Halimi.

Mbledhja e ardhshme e komisionit të reformës në drejtësi do të zhvillohet nesër në orën 10:30 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.