Report TV - "Drejtësia", Ulsi Manja: Negociata me PD, sinjale se nesër ka tryezë

2016-03-29 1

"Mazhoranca dhe opozita po negociojnë për rinisjen nga puna të tryezës në reformën e drejtësisë dhe sinjalet janë që komisioni të mblidhet nesër". Kështu u shpreh anëtari socialist i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Ulsi Manja, i ftuar në emisionin "45 minuta" nga Denis Minga në Report TV, duke konfirmuar se bashkëkryetarët Fatmir Xhafa dhe Eduard Halimi janë në bisedime.

"Besoj se nesër do të ketë zhvillime pozitive. Nëse do të ketë vullnet politik nga opozita, unë jam i bindur se s'ka asnjë arsye që drafti të vonohet e të mos i drejtohet seancës për tu votuar", u shpreh Manja.

Sipas tij, drafti është gati dhe se duhet të votohet në Kuvend javën e parë të muajit Prill.

Deputeti socialist komentoi edhe incidentin e demokratit Gent Strazimiri në protestën e një ditë më parë te Parku i Liqenit, ku u paraqit me armë pa leje, duke theksuar se përveç penaliteteve ligjore deri në 5 vjet burg, ai bëhet automatikisht subjekt i amendamenteve të PD për ligjin e dekriminalizimit.

Sipas tij, ndryshimet ligjore për "arrestimin në flagrancë" e pezullojnë Strazimirin nga jeta parlamentare deri në përfundimin e hetimeve.