TIRANE - Mazhoranca përfshin në kalendarin 3 javor të punimeve të Parlamentit ligjin për Nëpunësin Civil të rregulluar. Kjo ka shkaktuar edhe reagimin e opozitës ku përmes kreut të grupit demokrat, Edi Paloka pas Konferencës së kryetarëve, deklaroi se po kërkohet të hidhet poshtë ligji i miratuar një vit më parë me konsensus, por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i grupit të PD, Edi Paloka tha po ashtu se në Konferencë u paraqit edhe amendamenti i opozitës sa i takon amnistisë për krimet zgjedhore, por që ndonëse konferenca e kaloi per seancë, sipas Palokes mazhoranca paralajmëroi se do ta rrëzoi. Konsensusi sipas tij nuk është gjetur as për seancë plenare, dhe as kalendarit të punimeve.
"Së pari unë ngrita si problem që është hera e dytë që brenda një periudhe të shkurtër nuk zhvillohet seanca për arsye të mazhorancës. Seanca e rradhës javën që vjen, sepse u dhanë disa arsye si puna e 1 majit. Ne kishim dërguar një amendament për rishikim të vendimit për amnisitinë e krimeve zgjedhore. Ka një vendim të vitit 2012 që nuk lejon amnistimin e krimeve zgjedhore. Edhe kjo kërkesë e jona u rrëzua. Madje sot u tha që amnistia është bërë me vetëdije të plotë", tha Paloka