A1 Report - Liruan trafikantin,Naço: Verifikim vendimit te gjyqtareve

2015-08-21 1

TIRANË- Pas denoncimit nga gazeta "Shqiptarja.com", ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka urdhëruar verifikimin e vendimeve të Gjykatës e Shkallës së Parë të Fierit si dhe të Apelit të Vlorës që kanë liruar trafikantin Arben Gropa i dënuar me 23 vjet burg nga drejtësia italiane.

Arben Gropa, i njohur si biznesmen në Fier në fushën e ndërtimit është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë. Në total ai është dënuar me 23 vjet burg e gjashtë muaj për trafik kokaine, heroinë dhe prostitucion.

Sipas vendimit që ka siguruar 'A1Report", nga arrest me burg, i dënuari i njohur ndryshe me emrin Arben Gropa do të qëndrojë në arrest shtëpie, në pritje të ekstradimit drejt Italisë, ku do të vuajë 29 vitet e dënimit të mbetur.

Gjykata e Fierit, në janar të këtij viti e la me "arrest në burg", ndërsa Apeli i Vlorës firmosi për "arrest shtëpie" më 20 shkurt.

Autoritetet e shtetit fqinj kërkuan me këmbëngulje arrestimin prej prillit të vitit 2012 por Gropa u arrestua vetëm më 20 janar të vitit 2014 nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë në Fier.

Por, në momentin kur u mendua se Gropa u sigurua në paraburgim, treshja e gjyqtarëve të apelit të Vlorës Gjinovefa Gaba, Skënder Damini dhe Alma Liçaj vendosin ta lënë atë në arrest shtëpie me argumentin se nuk ka rrezikshmëri të largohet dhe se duhet të kujdeset për bizneset në Fier, pasi është pronar i lokalit luksoz Pelikani në këtë qytet, si dhe aksioner në ndërtime.

Ky skandal i drejtësisë shqiptare ndodh në kohën kur Ministria e Brendshme është në qendër të akuzave për rritje të kriminalitetit, por, edhe në rastet kur arrin të kryejë arrestime të kriminelëve gjykata i liron.