ELBASAN- Dita e ujit të bekuar është festuar në shumë rrethe të vendit. Gjatë kësaj dite është zhvilluar ceremonia festive e hedhjes së kryqit në ujë në disa prej qyteteve kryesore.
Ceremonia e hedhjes së kryqit në qytetin e Beratit është organizuar me pjesëmarrjen jo vetëm të qytetarëve të thjeshtë, por edhe të kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço.
Kryqi simbol i kësaj feste është hedhur në ujërat e lumit Osum nga imzot Ignanti, Dhespoti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, i cili u kap nga 22-vjeçari Florian Naçe, i cili mer bekimin e Kishës dhe të banorëve të krishterë.
10-VJEÇARI KAP KRYQIN NË FIER
Edhe në qytetin e Fierit besimtarët ortodoksë kanë festuar ditën e "Ujit të Bekuar" që simbolizon pagëzimin e Jezu Krishtit. Kisha e Shën Gjergjit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë nga At Ilia Bita në shatërvanin në sheshin "Europa" në Fier.
Ndonëse temperaturat kanë qenë të ulëta disa të rinjë janë hedhur në ujë për të kapur kryqin, i cili u kap nga 10-vjeçari Emanuel Banushaj.
ELBASAN FESTOHET DITA E "UJIT TË BEKUAR", KRYQIN E GJEN NJË 17-VJEÇAR
Besimtarët ortodoksë të Elbasanit festojnë sot ditën e "Ujit të bekuar". Në aktivitetin e kapjes së kryqit merrnin pjesë dhjetëra besimtarë, si dhe Episkop Andoni nga Kruja. Kryqi u kap nga 17-vjeçari, Klajdi Karaj, ndërsa ceremonia u zhvillua nga Kisha e Shënkollit në Elbasan, në një kompleks me pishina.
Pas ceremonisë së kapjes së kryqit, Episkop Andoni ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë për më shumë mirësi dhe paqe.
Ky është një ritual i përvishtëm që zhvillohet nga besimtarët ortodoksë, dhe për këtë vit kryqin e ka gjetur 17-vjeçari, Klajdi Karaj.
DITA E "UJIT TË BEKUAR" FESTOHET EDHE NË DURRËS
Qindra besimtarë ortodoksë në të gjithë vendin kanë festuar sot ditën e "Ujit të Bekuar", që simbolizon ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit në Lumin Jordan nga Shën Pagëzori.
Në qytetin e Durrësit, besimtarët pas meshës në katedralen e qytetit janë mbledhur pranë kalatës numër 5 në Port ku kanë organizuar hedhjen e kryqit.
Kryqi këtë vit është kapur nga 19 vjecari Xhulio Arapaj, i cili ka uruar të gjithë besimtrët për një vit sa më të mbarë dhe të begatë.