TIRANE- Ndërtimi i projektit të shëtitores së re të Vlorës përgjatë vijës bregdetare, e njohur me emrin "Lungomare", ka nisur të konkretizohet.
Një juri ndërkombëtare ka përzgjedhur 5 studiot projektuese që kanë hartuar projektin për ndërtimin e kësaj vepre 5 km të gjatë.
Më 21 shkurt 5 studiot e përzgjedhura ndër 45 që sollën projekte do të prezantohen në qytetin e Vlorës.
Projektet që kalojnë në fazën e dytë të këtij konkurimi janë realizuar nga: L'AUC Paris, Djamel Klouche, Francë; DOGMA Martino Tattara, Belgjikë -- Itali; HFF Simon Hartmann, Zvicër; MBAS Matthias Bauer, Gjermani; XDGA Xaveer de Geyter, Belgjikë.
Emrat e studiove që vijnë nga vende të zhvilluara europiane janë përzgjedhur mes 45 studiove konkuruese nga një juri ndërkombëtare.
Studiot që kanë përgatitur 5 propozimet e përzgjedhura do të ftohen në Vlorë, më datë 21 Shkurt për të prezantuar projektet e tyre drejtpërsëdrejti përpara Jurisë Ndërkombëtare Finale dhe qytetarëve të Vlorës.
Aty do të përzgjidhet edhe fituesi i konkursit dhe do të ndahen çmimet e paracaktuara.
Do të ketë 3 Çmime për tre propozimet më të mira, si edhe një çmim special për studion më të mirë vendase (ju rikujtoj që ka 15 aplikime nga studio të trevave shqiptare).
Lista e 5 propozimeve më të mira, mes 45 propozimeve që aplikuan, u vendos nga një Juri Ndërkombëtare e përbërë nga 5 anëtar, të cilët janë: Rainer Hehl, Andreas Ruby, Anne Charlotte Malterre Barthes, Johan Anrys dhe Daniel Gjoni.
Më 28 Nëntor të vitit që lamë pas, Ditën e Pavarësisë së Kombit, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit prezantoi në prani të qytetarëve të Vlorës Konkursin Ndërkombëtar për Vijën Bregdetare të këtij qyteti.
Konkursi u organizua për të mbledhur idetë më të mira të projektimit urban, për një vijë bregdetare me shtrirje nga Pylli i Sodës deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë.