A1 Report - Gjika vjen ne Tirane si i pandehur: Do te jem ne gjykate çdo te hene

2015-08-21 3

TIRANË -Kryetari i Bashkisë së Vlorës udhëtoi sot drejt Tiranës për të qenë i pranishëm në procesin gjyqësor ku ai është i ulur si i pandehur për akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Por seanca ka zgjatur vetëm pak minuta pasi mungonin dëshmitarët. Gjyqtari i Gjykatës së Tiranë Artan Micko ka vendosur që seanca tjetër do të zhvillohet në datën 24 shkurt. Po kështu seancat do të zhvillohen çdo të hënë.

Ky vendim është pranuar nga Shpëtim Gjika i cili është shprehur i gatshëm se do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore

"Keto janë vendime të gjykatës, unë do të mundohem t'i respektoj dhe duke qënë se jam mësuar për të bëre shumë punë njerësh, besoj do t'ia dal dhe këtë herë" ka thënë Gjika për median pasi doli nga gjykata.

Ndërkaq gjatë seancës të pranishëm në sallë kanë qenë 4 prej 8 të pandehurve. Ata që mungonin në seancë mbroheshin nga avokatët e tyre.

Ndërsa i pyetur për replikat në distancë me prefektin e Vlorës, në lidhje me bandën e tritolit kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh "Për këtë kam dhe një deklarat për shtyp, besoj e keni dëgjuar. Vetëm kaq asnjë koment tjetër. Unë i qëndroj deklaratës sime dhe asnjë koment tjetër."

Mësohet se, gjykimi i Shpëtim Gjikës do të nisë nga fillimi dhe nuk do të njihen procedurat që janë bërë në Gjykatën e Vlorës. Kjo kërkesë është bërë nga dy prokurorët e kësaj çështjeje.


ORA 10:00 NIS SEANCA E PARE NDAJ SHPETIM GJIKES
Ka nisur sot në Tiranë, procesi gjyqësor ndaj Shpëtim Gjikës. Në seancën e parë ndaj kryebashkiakut të Vlorës, pas transferimit të dosjes në Tiranë, ka qenë i pranishëm edhe vetë i pandehuri, Gjika, i shoqëruar edhe nga avokati i tij, Ardian Leka.

Gjyqi po zhvillohet në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës që ndodhet në rrugën Jordan Misja në kryeqytet, pasi Gjykata e Lartë vendosi që ta transferojë.