Mazhoranca nuk do të heqë dorë nga kontrolli i punës së Shërbimit Informativ Shtetëror që drejtohet nga Visho Ajazi Lika. Dhe këtë kontroll pritet ta bëjë përmes Komisionit të Sigurisë Kombëtare, por dhe ngritjes së një komisioni parlamentar hetimi. Kjo domosdoshmëri vjen për shkak të ngjarjeve të fundit kriminale, akteve terroriste, kthimi i Shqipërisë në një bazë për celulat islamike të rekrutimit të muxhahidinëve shqiptare që dërgohen në Siri për të luftuar, e për më tepër mosdhënia e asnjë informacioni nga ana e SHISH dhe kreut të saj Visho Ajazi, ka rikthyer në skenë Byronë Kombëtare të Hetimit. Këtë e ka rikonfirmuar dhe dy ditë më parë vetë Rama teksa tha se, aktet terrorizuese të goditjes me tritol janë për të kuptuar se reagimi i shtetit duhet të jetë shumë më kompleks se thjesht reagimi i policisë së shtetit. "Së shpejti në Kuvend do të shqyrtojmë reformën ligjore për rendin publik dhe do ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, ku po punojmë ngushtësisht dhe jemi në përfundim me partnerët tanë", ka thënë Rama. Teksa nuk anashkaloi as SHISH dhe punën e tij, duke u shprehur se niveli i shërbimeve inteligjente shqiptare, nuk përmbush më nevojat për të përballur sfidat e kohës, e kësisoj, duhet ngritur në një shkallë tjetër. Për të krijuar institucionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në varësinë direkte të kryeministrit duhet të bëhen ndryshime në Kushtetutë, ku mazhoranca ka 85 vota dhe ku bashkë me PDIU e PDK mund të arrijë 91 vota, vetëm dy vota larg numrin 93 që duhet për të arritur realizimin e ndryshimeve në Kushtetutën e vendit. Numra këto që janë të realizueshëm. Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një drejtori qëndrore pranë kryeministrit që do të funksionojë për koordinimin e të gjitha shërbimeve, përmes një zyrë koordinative. Programi i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të ketë analizën e informacionit kriminal, lufta kundër trafiqeve njerëzore, armëve eksplozive anti-terrori, drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave e korrupsionit, njësinë speciale të agjentëve të mbulimit, policia shkencore, antikrimi kompjuterik, mbrojtja e dëshmitarëve etj.