50 km nga Tiranë, qyteti i vogël i Laçit, po ofron një mikëpritje të pazakontë këto ditë për mijëra qytetarë nga të gjitha rrethet, madje edhe për shqiptarët nga diaspora.
Kisha e Shna Ndoit, apo e quajtur edhe Kisha e Mrekullive, është arsyeja e mbipopullimit të Laçit në këtë mes-qershori. Kisha shtrihet në grykën e malit të Rodonit, pak kilometra nga qendra e qytetit. Me të hyrë në Laç, të gjithë marrin emërtimin "pelegrin".
Kontakti i parë janë të vegjëlit e Lacit të cilët afrohen pranë dritareve të makinave duke ofruar blerjen e qirinjve. Kryesisht janë fëmijë që jetojnë në Laç dhe zonat përreth. Vijnë të gjithë nga familje të varfëra. 12 javët e pelegrinazhit janë një burim shprese për ta dhe familjet e tyre. Qershori është muaji i vetëm kur ka jetë aktive në Laç. Fëmijët kanë lënë madje shkollën dhe me qirinj në duar nuk lodhen në asnjë moment tu afrohen makinave edhe shumë pranë rrotave vetëm e vetëm që pelegrinët të blejnë qeskat e tyre me qirinj.
Ndërkohë më tej drejt kodrës pelegrinët sa vijnë e shtohen.
Sipas shefit të komisariatit të Kurbinit, Dritan Lena, më shumë se 800 mijë njerëz kanë hyrë në Laç në datën 12 qershor, pa llogaritur këtu qindra të tjerë që vijnë gjatë mëngjesit të datës 13 qershor. Për 13 të marta me radhë, Kisha pret besimtarët të të gjitha feve dhe besimeve, deri më 13 qershor, kur është dhe dita e përkujtimit e të shenjtit Shna Ndou. Për të evituar trafikun policia në bashkëpunim me administratëorët e Kishës nuk kanë lejuar për këtë vit qarkullimin me mjete private deri lart në kishë. Ndërsa pranë furgonit të policisë dhe FNSH, qëndrojnë në gadishmëri zjarrëfiksja dhe autoambulanca.