TIRANE- Ndonëse ka gati një vit që është në krye të institucionit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka nuk ka hetuar asnjë prej pasurive të zyrtarëve, siç e përcakton e ligji. Madje nuk ka raportuar as në Kuvend, duke bërë që puna e këtij institucioni shumë të rëndësishëm verfikimi të pasurisë së zyrtarëve të lartë, hetimit të konfliktit të interesit në tërë piramidën e shtetit shqiptar të zhytet në mister.
Nëse drejtohesh për të marrë një deklaratë pasurie për një politikan apo zyrtar të lartë sipas ligjeve në fuqi dhe ndjekur tërë procedurat e nevojshme, nuk do të arrish të marrësh asgjë, madje të përcjellin me fjalët se dosjet janë të pahetuara e të papërpunuara. Dhe për më tepër s'janë dorëzuar as deklarata e pasurisë nga shumë zyrtarë dhe politikanë, përfshirë ministra dhe deputetë, duke e rënduar akoma më tej gjendjen në këtë institucion, i kritikuar rëndë dhe nga raportet ndërkombëtare.
Njëherësh Xhuka ka bllokuar punën e nisur që më 19 nëntor 2012 për kontrollin e plotë të rreth 200 zyrtarëve për shkak të funksionit dhe për dyshime për pasurinë e tyre, me arsyetimin absurd e antiligjor se kjo nuk ishte puna e saj. Ndonëse është përcaktuar në këtë detyrë me dekret presidencial dhe me votë të mazhorancës së atëhershme të djathtë të drejtuar nga Berisha pikërisht për të bërë kontrollin e plotë të deklaratave të pasurisë së zyrtarëve të lartë, por dhe për të verifikuar burimin e të ardhurave nëse e lyp nevoja. Njëherësh Xhuka ka refuzuar t'i kontrollojë e të bëjë një hetim administrativ për rreth 1200 deklarata të mbartura nga 2012, duke i arshivuar të papërfunduara e të pafirmosura prej saj.