A1 Report - Perdhunuesi Tollia, leje ne ditet e fundit te qeverise "Berisha"

2015-08-21 8

Miratimi i lejës shpërblyese për Arben Tollinë dhe përfshirja e tij gjatë kësaj kohe, në përdhunimin e një 30-vjeçare ka sjellë dhe reagimin e burgut të "Shën Kollit" në Lezhë, prej nga Tollia kishte marën lejën 5 ditore. Të kontaktuar në telefon burime pranë drejtorisë së këtij burgu thanë për gazetën "Shqiptarja.com" se leja është dhënë konform të gjitha rregullave ligjore, pasi Tollia plotësonte kushtet e marrjes së lejës 5 ditore.

Leja për Tollinë është dhënë pikërisht në datën 6 qershor, ku situata politike dhe vëmëndja e institucioneve ishte përqëndruar në rotacionin politik. Personi që ka firmosur lejën 5 ditore, sipas burimeve ka qënë ish-drejtori i burgut Shën Koll, i cili ka dhënë lejën për Tollinë, pikërisht në periudhën e fundit të qeverisë "Berisha".

Kjo kohë i ka mjaftuar Tollisë të realizojë planin e tij, duke arritur të takojë shtetasen 30-vjeçare dhe më pas ta përdhunojë atë në një hotel të Durrësit. Nuk dihet se në çfarë kushte është lënë i lirë dhe pa vëmëndjen e policisë së Shijakut dhe Durrësit Arben Tollia, pasi ky i fundit njihet për qindra raste përdhunimi të femrave në këtë zonë. Vetë drejtoria e burgut sqaron se nuk ka asnjë detyrim ligjor të survejojë të dënuarit, pasi ata përfitojnë lejën.

Sipas burimeve institucioni që survejon personat me precedente penalë është Policia e Shtetit, por nga ana tjetër disa ditë më parë ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri deklaroi se policia nuk informohet në asnjë rast për personat e rrezikshëm që përfitojnë leje nga burgu. Kohët e fundit protagonistë të krimeve të rëndë që kanë ndodhur në vend, janë bërë njerës të njohur të botës së krimit, të cilët rezultojnë të dënuar me dhjetëra vite burg nga sistemi i drejtësisë. Kjo situatë, duket se do mbledhë së shpejti krerët e institucioneve për të ndryshuar rregullat e dhënies së lejës nga burgu.Momentalisht Tollia mbahen i izoluar në burgun e Vaqarit.