Situata nga COVID/ Spitalit të Lezhës i shtohen pajisje të reja, forcohet shërbimi i reanimacionit

2020-11-05 0

Parashikimi i skenarëve më të errët të mundshëm të pandemisë në vendin tona, ka vënë në lëvizje autoritetet të forcojnë edhe spitalet rajonale për të përballuar fluksin dhe të prekurve me COVID-19. Shifrat e të infektuarve dhe viktimave nga pandemia po rriten çdo ditë dhe kjo ka sjellë dhe shtim të kapaciteteve dhe pajisjeve në spitalin e Lezhës e përgatitja e tyre sipas skenarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, për përballimin e situatës së Covid19.

Me pajisjet e reja mjekësore të instaluara në spitalin rajonal të Lezhës janë fuqizuar kapacitetet biomjekësore në shërbimin e reanimacionit duke vendosur, 10 monitorë, respiratorë, respiratorë Bipap, aspirator salle, defibrilator, EKG, pompa infuzioni, shiringa elektrike, ventilator portabël, puls oksimetër, maska CPAP, laringoskopë, oksigjenator, 20 sete intubimi, eko fikse dhe shtretër të rinj plotësisht të pajisur.

Gjatë inspektimit të pajisjeve të reja të reanimacionit dhe rinovimin e plotë të aparaturave në spitalin e Lezhës, ishte e pranishme dhe ministrja Manastirliu, e cila është përgjigjur akuzave të opozitës, duke thënë se të gjithë mjekët e politikës apo politikanët e mjekësisë të vijnë ta shohin me sytë e tyre se çfarë po ndodh aty ku bëhet lufta, se si po i rrisim çdo ditë kapacitetet.

"Për të gjithë ata ?mjekë të politikës, apo politikanë të mjekësisë? i them që ne jemi këtu, në krye të detyrës. Por ajo çfarë kërkon kjo situatë është më shumë solidaritet. Ndaj, le të vijnë aty ku po bëhet beteja, ku po bëhet lufta, në spitalet tona dhe të shohin me sytë e tyre se çfarë po ndodh. Se si po rrisim kapacitet çdo ditë, se çfarë impenjimi ka personeli mjekësor që është në krye të detyrës. Ajo çfarë realisht jemi duke bërë është pikërisht më e mira që ne kemi mundësi brenda gjithë kapaciteteve tona?, tha Manastirliu.