Report TV - Asgjësohen 13 mijë lodra me lëndë toksike! ISHMT: Ja si të evidentohen nga prindërit

2020-02-12 1

13 mijë lodra janë shkatërruar nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, për shkak të substancave toksike që përmbanin duke rrezikuar kështu jetën e fëmijëve. Këto lodra janë konfiskuar gjatë periudhës së fundvitit dhe pas analizave të kryera kanë rezultuar të rrezikshme me elemente kimikë e toksikë.

Lodrat u bllokuan nga ISHMT, me destinacion përfundimtar shkatërrimin e tyre në përputhje me standardet e mbrojtjes së mjedisit. Inspektimet u kryen gjatë periudhës nëntor 2019- janar 2020, në subjektet e importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të produkteve lodra. Testimet laboratorike të kryera në mostrat e lodrave të marra në 34 importues konstatuan substanca toksike, elementët alergjenë, mutagjenë dhe kancerogjenë, që mbartin rrezik real për jetën dhe shëndetin e fëmijëve.

Kryeinspektori i ISHMT, Lavdrim Sahitaj, tha për Report Tv se lodrat e konfiskuara nuk ishin në përputhje me standardet europiane të sigurisë.

?Këto lodra janë me probleme kimike e toksike dhe me metale të rënda, që shkaktojnë rrezatim tek fëmijët dhe tek konsumatorët në tërësi. Lodrat janë pa markimin CE, lodrat janë pa standardet e Bashkimit Europian, pa standardet tona të cilat janë të traspozuara tanimë me ato të Bashkimit Europian. Lodrat janë të rrezikshme në tërësi edhe për mjedisin?, u shpreh Kryeinspektori i ISHMT

Kryeinspektori shpjegoi dhe disa prej mënyrave se si prindërit mund të evidentojnë se cilat lodra paraqesin rrezikshmëri për fëmijët e tyre.

?Mjafton që në trupin e lodrës të jetë markimi CE, pra në trup jo në ambalazh dhe janë të sigurt që lodrat janë brenda rregullave dhe është e sigurt për konsumatorin. Pra markimi nuk duhet të jetë në ambalazh sepse shpesh i shikojmë në etiketa, i shikojmë në kartonë ose në ambalazhet jashtë që janë të vendosura në mënyrë jo transparente dhe mund të mos jetë e vërtetë se çfarë është brenda në lodër?, tha Sahitaj