Koronavirusi, monitorim pasagjereve ne Portin e Durresit

2020-01-28 0

Pas Rinasit, edhe Porti i Durrësit ka shtuar monitorimin shëndetësor, si masë kundër përhapjes se koronavirusit. Pavarësisht se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të dyshuar, institucionet po kryejnë monitorim të përditshëm të të gjithë pasagjerëve dhe personelit të anijeve tregtare që hyjnë nëpërmjet kësaj pike kufitare.

Specialistet e Sektorit të Mbrojtjes së Shëndetit kanë në dispozicion edhe termometrat lazer për matjen e temperaturës në distancë. Përparësi gjatë kontrollit i jepet vendit të origjinës nga ku vijnë pasagjerët.

Në port janë instaluar edhe pajisje të tjera të posaçme, si dhe janë hapur ambiente të veçanta për të realizuar kontrollet, me qëllim izolimin e menjëhershëm të personave të dyshuar me virusin vdekjeprurës.

Edhe në pikat e tjera doganore janë shtuar kontrollet. Në Kapshticë po zbatojnë një plan të posaçëm kontrolli dhe verifikimi për personat që hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia.

Strukturat e policisë kufitare janë angazhuar me një grup mjekësh për të verifikuar çdo person që do sinjalizohet si i ardhur nga vendet aziatike.

Tv Klan