Nga përgjimit e hetuesisë rezulton se ky grup mësonin dhe instruktonin ndërtuesit e paligjshëm për kontrollet që do bënin për të thënë se ndërtimi ishte i vjetër. Ndërkohë në qershor të vitit 2019 kur ishte edhe periudha zgjedhore, kanë nisur verifikimet në terren ku disa objekte ishin në themele dhe sot janë deri në 4 kate të mbaruara në zonën e Katundit të Ri në Durrës.
Ndër të tjera në dosje thuhet se specialisti i zonës së Katundit të Ri kishte dijeni dhe i ka thënë ndërtuesit të heqë punëtorët ngaqë është denoncuar në portal. Në fshatin Jub kanë ardhur dy denoncime në Komisariatin dixhital të cilët janë nënvlerësuar.
Punonjësit e policisë kanë raportuar se s'ka ndërtime pa leje dhe denoncimi ishte gënjeshtër duke e kaluar në fshatin Rrushkull me tjetërsim fotosh. Burime për Report Tv bëjnë me dije se i njëjti grup ka lejuar edhe prerjen e paligjshme të pyjeve.
Ndërkohë Report Tv zbulon edhe emrat e policëve, zyrtarëve dhe ndërtuesve që u arrestuan mbrëmë në Durrës nga aksioni blic i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në pranga kanë rënë shtatëmbëdhjetë zyrtarë të policisë dhe të pushtetit vendor për të cilët masa e arrestit me burg ishte dhënë në mungesë nga gjykata, ndërkohë një tjetër u shpall në kërkim dhe një tjetër u pezullua nga detyra, ku të gjithë dyshohet se lejuan ndërtime pa leje në zonën e Durrësit, Manzës dhe Shijakut përgjatë vitit 2019.