Ekonomia me syte nga qielli

2019-05-29 0

Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet në periudhën e parë të vitit. Ndryshe nga një normë e rritjes ekonomike mbi 4% një vit më parë, Banka e Shqipërisë thotë në raportin e Politikës Monetare se pret që gjatë kësaj kohe ekonomia vendase të rritet me të njëjtin nivel të 3-mujorit të fundit të vitit 2018-ë, afër vlerës 3%.

Shkakun kryesor për këtë, banka qëndrore e sheh te rënia e prodhimit të energjisë elektrike, si pasojë e një moti jo favorizues për korporatën e energjisë elektrike, çka ka thelluar edhe defiçitin tregtar të vendit.

"Rënia e prodhimit të energjisë elektrike në tremujorin e fundit të vitit 2018, por dhe ritmet më të ngadalta të rritjes në sektorin e shërbimeve sollën ngadalësimin e rritjes ekonomike në këtë periudhë. Të dhënat paraprake sugjerojnë për vijimin e rritjes ekonomike me ritme të përafërta edhe në tremujorin e parë të vitit 2019".

Përkeqësimi i ekonomisë në Eurozonë ka zhvendosur pritshmërinë e bankës qëndrore për kthimin në ekuilibër të ekonomisë dhe infacionit.

"Shpejtësia e kthimit të ekonomisë në ekuilibër dhe e inflacionit në objektiv është ngadalësuar, kryesisht si pasojë e përkeqësimit të perspektivës së ekonomisë në Eurozonë. Inflacioni parashikohet të konvergojë në objektivin tonë prej 3% në fillim të vitit 2021".

Ekonomia e Eurozonës u ngadalësua në periudhën e fundit të vitit 2018, duke tkurrur po ashtu edhe prodhimin industrial në Gjermani, Francë e Holandë. Italia vazhdon që të ketë një normë rritjeje 0%, ndërsa Greqia ka patur një përmirësim të treguesve ekonomikë, por rënie të investimeve.

Tv Klan