Burrel- Është e pabesueshme por në fakt kjo është shkolla 9-vjeçare e fshatit Plan i bardhë në bashkinë Klos, ku rreth 40 nxënës ulen çdo ditë në bankat e saj.
E mbuluar nga një çati që po numëron ditët e fundit të saj, mungesa e dyerve dhe dritareve, infrastrukturë totalisht e shkatërruar dhe jashtë çdo parametri për zhvillim të orëve mësimore janë kushtet që ofron sot kjo godinë për arsimimin e vogëlushëve të zonës, ku dëshira e tyre për dije i bën sfidë tavanit të shkollës, i cili nga momenti në moment rrezikon të shembet.
E ndërsa kjo godinë nuk ofron as kushtet minimale për sigurinë e jetës së këtyre fëmijëve, do të ishte e tepërt në qoftë se do të kërkohej të flitej për pajisje bashkëkohore për zhvillimin e orës së mësimit, pasi edhe energjia elektrike prej kohësh mungon.
Masat që duhen marrë janë mëse të domosdoshme dhe mund të quhen se janë të vonuara pasi gjendja e kësaj godine është alarmante dhe jeta e vogëlushëve është në rrezik në çdo moment.