Kryeminsitri Edi Rama i ka kërkuar qytetarëve në takimin prezantues të kandidaturës së Erion Veliajt për bashkinë e Tiranës në një mandat të dytë, që të kthejnë sytë pas dhe të shohin se si ishte kryeqyteti nën drejtimin e të djathtëve. Ndryshimet sipas tij janë si nata me ditën, dhe transformimi nuk do të ndalet - tha Kryeministri.
"Dua që në këtë moment ta ktheni pak kokën pas. Kthejeni dhe ndalojeni vështrimin tek Tirana e katër viteve më parë, ecni me sy, nga ky shesh, aty në qendër ku jeni ju, qëndron kufoma e shatërvanit komunist, një shtojcë e tepërt e sheshit historik që na ka mbledhur sot. Në të majtën time në hyrjen e parkut është zënë prej vitesh nga një tren ndërtimesh pa leje rruga për të vajtur në park. Janë legalizuar nga qeveria në korrik 2013 fill pas zgjedhjeve të humbura. Në të djathtë, dergjet qyshse nuk mbahet mend, gërmadha e stadiumit "Qemal Stafa" futur në listën e zezë të FIFA-s dhe UEFA-s. Sheshi Skënderbej, skena e një shfaqje banaliteti provincial, e vetmja qendër historike e një kryeqyteti pa asnjë shans për këmbësore, pa asnjë pikë ambicie për të ardhmen. Më tutje, gropa e bulevardit të ri, i mbetur në gropë edhe ai. Këtej prapa meje parku i Liqenit lënë në mëshirën e fatit, mbushur me plehra, pa asnjë poç që të ndizej natën qoftë për sy të keq. Një qytet pis, ky kazanët më shumë digjen sesa pastrohen. Ndërsa në perëndim të Tiranës ngrihet çdo mbrëmje reja e zezë e Sharrës që mbyt Kombinatin dhe turpëron qytetin. Pa folur për gropat e rrugëve. Kjo është e shkuara e mbetur veç në shembëlltyrën e forcave të vjetra të politikës. PD si sheshi i vjetër në qendër, LSI si shatërvani i mbetur këtu në bisht, të tjerët si kioskat, këtej anash, të tjerët që i kanë zënë frymën parkun të Tiranës. Kjo Tiranë sot nuk ka asnjë lidhje me atë që ju patë me sytë e kujtesës. Është një provë e dallimit të madh, nata me ditën, mes nesh dhe atyre që i kemi mbrapa, çdo ditë e më mbrapa. Kush e vë në dyshim ose s'ka dalë nga nata e tyre, ose e ka harruar natën e tyre kur ata kishin në dorë Shqipërinë dhe Tiranën. Dita jonë mund të jetë shumë më e mirë, dhe do të jetë shumë më e mirë. Tirana jonë sot, ashtu si çdo qytet tjetër që qeverisim, edhe si vetë Shqipëria, nuk ka të krahasuar me çka ishte para se ne ta merrnim në dorë. Ka të krahasuar, me përpara se ne t'i merrnim në dorë të dyja, edhe Bashkinë edhe qeverinë. Oa këtë sinergji kjo ditë do të kishte shumë më pak dritë, dhe për këtë mjafton t'i kthejmë sytë pas. Tek Durrësi, Elbasani, Korca, Fieri, Vlora, kur ne ishim në krye të bashkive, por nuk ishim në qeveri, qytete të penguara, të bllokuara, të torturuara nën presionin e të vjetrës", tha Rama.
Sot Tirana Evropianë nuk është më një vegim - tha Rama, por është një realitet në formim e sipër.
"Ju kam thënë na jepni një mandat për Tiranën, dhe me PS dhe Erionin do ta rizgjojmë qytetin e zhytur në gërhimat e Lulzimit. Duke e rikthyer në vitet 2000 kur Tirana u bë qytet i shpresës por u mor peng nga armiqtë e betuar të shpresës", th...