Djegia e mandateve/ Meta flet për krizë kushtetuese dhe kërkon nga palët hapa pas

2019-03-12 0

TIRANE - Kreu i shtetit Ilir Meta u ka bërë thirrje palëve politike të bëjnë hapa pas për të rivendosur normalitetin në atë që ai e quajtir krizë politike, kushtetuese dhe institucionale në Shqipëri. Por a mund të bëjë hapa pas opozita nga vendimi i saj i djegjes në bllok të mandateve të deputetëve?! Sa i vlefshëm është ky apel, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur t'i japë mandatet e deputetit kandidatëve pasues në listat e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës. Katër të parët morën sot mandatin nga KQZ dhe nesër betohen në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, Presidenti Ilir Meta foli për një krizë kushtetuese, por siç dhe ndërkombëtarët kanë deklaruar, parlamenti mbetet legjitim, pasi ka shumicën për të vazhduar punën, deri më tani me 85 deputetë. (79 të mazhornacës, Murrizi i PD-së, Lefter Koka i LSI-së, dhe 4 deputetët e rinj që betohen nesër në Kuvend).

Hapa pas në këtë rast, do të përktheheshin në tërrheqje nga protestat e dhunshme të opozitës për rrëzimin e qeverisë.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës me presidentin e Sllovenisë këtë pasdite, Presidenti Ilir Meta kërkoi zgjidhje politike për krizën kushtetuese!

"Jemi në kushtet e një krize politike, kushtetuese dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur, në mënyrë të vijueshme kam apeluar për dialog mes palëve, jo vetëm për të evituar këtë situatë, por për ti paraprirë atij vendimi të rëndësishëm që u paralajmërua në qershorin e kaluar për mundësinë e çeljes së negociatave në qershorin që po vjen. Dhe një ditë pas vendimit të qershorit kam thënë se duhet të fillojmë punën qeveri-opozitë, pasi mund të ikë një vit dhe të mbesim në sërish vend. Palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë dhe të reflektojnë me përgjegjshmëri për të rivendosur normalitetin politik, demokratik, kushtetues dhe institucional në vend. Unë besoj se kur ka vullnet dhe vihet në plan të parë interesi kombëtar, duhet të na motivojë shumë për shkak të kohës që po pakësohet, ka të bëjë edhe me një vendim të mundshëm për çeljen e negociatave duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençura dhe zgjidhjes politike të kësaj situate" tha ai.