Ekskluzive-Pasuria nga 2003/ Edi Paloka si prokurorët, dhuratë 40 mln lekë, shtëpi, toka e makina

2019-02-01 0

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili i ka shitur një apartament 87.5 milionë lekë një familje që është nën hetim nga Prokuroria e Lezhës për pastrim parash, ka deklaruar 6 shtëpi banimi, dy garazhe dhe disa makina në harkun kohor 2003-2017. Ndërkaq, të ardhurat e ligjvënësit demokrat janë paga si deputet dhe dy vite pagë nga ATSH dhe Albpetrol. Nga viti 2014, deklaron edhe pagën e bashkëjetueses si bibliografe në Shkollën e Magjistraturës, në vlerën 698 183 mijë lekë.

Në deklaratën e parë të pasurisë, që përkon me vitin 2003, Edi Paloka deklaron 33 % të një apartamenti me sipërfaqe 56 m2, pjesë të cilën deklaron se ka shitur po gjatë vitit 2003, me vlerë 30 mijë USD. Këtë apartament deputeti demokrat thotë se ka përfituar nga privatizimi në vitin 1994. Në vitin 2005, Paloka deklaron blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 77 m2 dhe 22 m2 verandë, me vlerë 38 mijë euro. Në vitin 2011, Paloka ka blerë një tjetër apartament me sipërfaqe 75.6 m2, në Lezhë, me vlerë 3 931 200 lekë.

Ashtu si shumë gjyqtarë dhe prokurorë që kanë mbetur në rrejtën e Vetingut, edhe Paloka deklaron se i ka dhuruar babai 4 000 000 lekë ose 32 mijë euro, para me të cilat ka blerë këtë pasuri të paluajtshme. Nuk dihet nëse është ky apo jo apartamenti, të cilin Paloka e ka shitur në vitin 2018 për 87.5 milionë lekë. Po ashtu, në vitin 2013, Paloka deklaron se i ka lënë trashëgim babai një apartament me sipërfaqe 46.88 m2, banesë në Tiranë me sipërfaqe 130 m2, tjetër apartament në Tiranë i paregjistruar si dhe një garazh në Tiranë me sipërfaqe 14.32 m2.