Gjatë fjalimit në Parlament, Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen se qeveria është gati të plotësojë 8 kërkesat e studentëve, por duhet dialog me ta për të reformuar tërësisht Universitetin.
Kryeministri foli edhe për një pedagog, për të cilin tha se mbante fjalim për studentët dhe u bënte thirrje që të refuzojnë dialogun.
Këtë pedagog, Kryeministri e quajti "fantazëm të Partisë së Punës", që ka mbrojtur Doktoraturë me temë "efiçenca e kalit në ekonomi".
"Kur kam parë dje një video nga diskutimi në Fakultetin Ekonomik që studentët kërkonin të binin dakord për të hapur dialogun dhe studentëve ju fliste një fantazëm e Partisë së Punës, e pjesës më vulgare të Partisë së Punës, një Doktor Shkencash që Doktoraturën e ka bërë me temë "efiçenca e kalit në ekonomi".
Nuk kam asgjë personale, unë e dija tanimë në botën tjetër, saqë aq shumë u habita. Një personazh që përfaqëson shumëçka, fytyra e mediokritetit dhe gjithë hipokrizës së farsës së atij regjimit, ju flet studentëve me megafon dhe ju thotë pse nuk duhet të dialogoni me Kryeministrin e vendit", u shpreh Kryeministri.
Sa i përket protestës së studentëve, Rama theksoi se bëhet fjalë për shumë më tepër se ato 8 pika, ndërsa hedh akuza ndaj opozitës që kërkon ta shfrytëzojë situatën.
"Kjo protestë i ka rrënjët shumë më thellë, i ka rrënjët te burimet e sëmundjes së Universitetit. Është shumë e thjeshtë që ne ta trajtojmë këtë protestë si një çështje procedure, apo porosish në derën e një dyqani. Po këtu nuk bëhet fjalë për kilogramë mish. Bëhet fjalë për të hapur një proces që fillon nga këto pika. Pikat jemi gati t'i plotësojmë një për një, por ata që erdhën këtu si përfaqësues së opozitës së maskuar, që nuk ka mundësinë të dalë dhe të mbështesë një protestë studentore sepse e njollos, përfytyroni çfarë opozite është.
Pyetja është çfarë fshihet pas bllokimit të dialogut? Kjo është e padëgjuar. Çfarë fshihet pas asaj propagande të shfrenuar që investohet nga ndërmarrja e Doktoreshës edhe nga SHQUPI këtu, edhe nga ai profesor Qorri. Fshihet nga njëra anë qëllimi që këto mos zgjidhen, që studentët të acarohen dhe të futen në qorrsokakun që i do kjo opozitë. Kjo është arsyeja pse unë refuzoj pse këto 8 pika t'i plotësojmë sikur janë porosi për dyqan", tha Kryeministri Edi Rama në Parlament.