Shkarkohet prokurori Ramadan Troci

2018-11-15 1

Ramadan Troci prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme nuk ka kaluar procesin e Vetting-ut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka gjetur në shkelje prokurorin, pasi nuk justifikon pasurinë, konkretisht një apartament në zonë e Paskuqanit, gjithashtu ka mospërputhje në lidhje me qiranë që ai paguan për një apartament në zonën e Pazarit të Ri. Gjithashtu probleme janë gjetur edhe në blerjen e një makine.

Pasuria nuk ishte i vetmi kriter që nuk plotësonte Ramdan Troci për të kaluar Vetting-un. Gjatë hetimit të thelluar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë gjetur shkelje gjatë punës së tij si prokuror. Janë verifikuar 8 dosje të cilat ai ka hetuar, që kishin si pasojë plagosjen apo vdekjen në minierat e Bulqizës. Për këto çështje Troci kaishte vendosur që hetimet të mos fillonin apo të pushoheshin.

Komisioni ka konstatuar se hetimi i rasteve ku kanë humbur jetën persona ka qenë i paplotë dhe se prokurori ka arritur në përfundime të nxituara dhe të pa mbështetura në prova. Ramadan Troci është prokurori që firmosi arrestimin e ish-guvernatorit të bankës Ardian Fullani dhe ish-kryetarin e bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika. Të dy këta persona u shpallën të pafajshëm nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, pasi hetimi ishte i pabazuar në fakte. Në përfundim të seancës Troci nuk preferoi të flasë. Ndërsa avokati tha se do të apelojnë vendimin.

Komisioni këtë të enjte shkarkoi nga detyra edhe kryetaren e gjykatës së apelit të Vlorës Alma Liçaj, një ditë pasi i dha pafajësinë ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Edhe ajo nuk justifikonte pasurinë.