Pavarësisht përplasjes që kanë patur me koncesionarin gjerman të aeroportit të Rinasit qeveritë e të dy forcave kryesore politike, Shqipëria sërish kërkon kompani gjermane në ndërtimin e aeroporteve. Këtë herë bëhet fjalë për një tjetër aeroport në jug të vendit në afërsi të Sarandës. Këtë kërkesë e ka bërë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një takimi me homologun e tij gjerman Andreas Scheuer.
?U fokusuam në bashkëpunimin e Shqipërisë në fushat me të cilat ka interes siç janë infrastruktura dixhitale pasi jemi duke diskutuar për disa projekte të përbashkëta. Pse jo edhe interesi i kompanive gjermane për të zhvilluar infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri. Unë i kërkova ministrit të ftojë kompanitë gjermane në potencialet e mundshme që do të hapen në zhvillimin e kësaj infrastrukture aeroportuale sidomos në jug.?
Tre kompani gjermane ndërtuan aeroportin e Tiranës dhe mbajtën operimin e tij për më shumë se një dekadë, ndërsa në 2016-ën kompania iu shit kinezëve të China Everbright Limited. Gjatë kohës që Rinasi ishte në menaxhimin e gjermanëve, ata mbajtën për 12 vjet ekskluzivitetin e ajrit në Shqipëri duke mos lejuar ndërtimin e asnjë aeroporti tjetër.
Tv Klan