Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë konferencës për shtyp se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po tallet me ndërkombëtarët, duke nxjerrë gjithë kohës letra pa lidhje, vetëm për të ngatërruar procesin.
Rama tha se refuzimi i propozimit hibrit të bërë nga SHBA, është sinjal që tregon se ai nuk e do reformën.
"PD sinjale se nuk e do reformën në drejtësi. E ka bllokuar procesin qëllimisht për një kohë të gjatë. Ka hyrë e ka dalë në proces duke hyrë e duke nxjerrë letra pa lidhje, vetëm për ta ngatërruar procesin. Ka baltosur ekspertë e nivelit të lartë si ka mundur dhe sa ka mundur. Ka abuzuar pa pushime me opinionin e Komisionit të Venecias duke u kapur gjatë dimrit pas një paragrafi 55 dhe pastaj në pranverë pas një paragrafi 88, si i mbyturi pas fijes së barit. Është tallur me partnerët strategjikë të drejtësisë duke thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapë Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vendet e rezervuara. Pas vendeve të rezervuara kaloi tek vendet e blinduara duke kërkuar barazi të plotë pjësëmarrje në komision ad hoc për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit të vettingut", u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë ftoi sërish në një takim kryetarin e PD, Lulzim Basha, për t'i dhënë zgjidhje, siç tha ai, reformës në drejtësi. Një apel i kryeministrit Rama shkoi edhe për të gjithë demokratët, të cilët, tha ai, s'duhet të lejojnë që e ardhmja e Shqipërisë të jetë peng i frikës nga drejtësia.
"I bëj thirrje publikisht z.Basha, që të mos udhëhiqet nga frika por ta udhëheqë PD-në drejt interesit të madh kombëtar që lidhet me këtë reformë historike e shtetbërëse. E ftoj të ulemi sërish që të flasim si dy shqiptarë. U bëj apel të gjithë demokratëve, që të bëjnë diçka për të mos lejuar që e ardhmja e Shqipërisë të refuzohet nga frika e drejtësisë", deklaroi kryeministri Rama.