Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, nga mbledhja e Këshillit Kombëtar mori përgjegjësinë e mosrealizimit të kërkesave për çështje Çame në negociatat Tiranë-Athinë për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Ai tha se gaboi kur i besoi Edi Ramës zgjidhjen e kësaj çështje, ndërsa tha se shpreson që marrëveshja e cila fshin Çamërinë nga toponimet dhe tekstet shkollore, të mos jetë e vërtetë.
Edhe unë kam bërë gabimet e mia, edhe unë kam gabuar. Pasi mendova dhe besova se do e çonim para kauzën tonë me këtë maxhorancë. Por skam besuar se dikush mund të luante me fatet e pushtetit. Nuk e mendova se ne do ishim çakmak për rritjen e temperaturave dhe për të arritur marrëveshjen. Do doja që mos të ishte e vërtetë, ndaj ky është faji im.
Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras u shpreh dy ditë më parë se çështja Çame nuk ekziston, deklaratë të cilën Idrizi e quan arrogante, ndërsa i kujton kreut të qeverisë greke se Greqia është i vetmi vend në Europë që nuk njeh minoritetet dhe ka dëbuar hebrenjtë.
Përpara anëtarëve dhe drejtuesve të PDIU, Idrizi u shpreh se nuk do dorëzohet deri në përmbushjen e amanetit të të parëve, për kthimin në tokat e tyre në Çamëri, nga ku u dëbuan nga forcat e Napolon Zervës.
Më duhet t?i jap sot një përgjigje Tsiprasit i cili me arrogancë deklaroi se çështja Çame nuk ekziston. Greqia është i vetmi vend që ka përzënë edhe hebrenjtë, është një shtet që nuk njeh asnjë minoritet. Dhe guxon të na imponohet ne për toponimet, varrezat shkollat. Pala shqiptare deklaron se kemi folur për çështjen Çame, por Greqia nuk pranon. Kaq? Kaq mjafton? Bushati dhe Kotzias hedhin valle.
Si mund të kemi marrëveshje bashkëpunimi me një vend që nuk njeh çështjen çame, nuk njeh Kosovën dhe s?ka hequr ende ligjin e Luftës. Rruga e Shqipërisë është vendosur nga korifenjtë e Rilindjes, drejt Berlinit, Brukselit, Parisit dhe Uashingtoni. Rruga e Shqipërisë nuk është nga Greqia. Në momentin që hiqet Ligji i Luftës pretendimet tona pronësore, janë kërkesat tona legjitime që nuk na i heq kush. Çfarë u bë për statusin e shqiptarëve minoritar në Çamëri, çfarë u bë për hapjen e shkollave shqipe? Të drejtë të cilën shqiptarët e kishin që në vitin 1927.