Report TV - Dosja e Vetingut, ja 17 njollat në pasurinë e gjyqtarit Artan Lazaj

2018-09-04 0

Komisioni Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka arsyetuar vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Artan Lazaj. Këtij të fundit i është refuzuar edhe viza nga Ambasada Amerikane, duke i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici ka arritur në konkluzionin se gjyqtari Lazaj ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe nuk ka dhënë shpjegime bindëse për justifikimin e pasurisë, çka për rrjedhojë nuk mund të shërbejë në sistemin e drejtësisë.

Nga hetimi i thelluar, KPK ka konstatuar 17 probleme serioze në pasurinë e gjyqtarit Lazaj. Gjetjet konsistojnë në mosdeklarimin e shpenzimeve në shumat 10 mijë euro, 4.900.000 lekë si dhe në mosdeklarimin e gjendjes cash prej 150 mijë eurosh. Nga ana tjetër, sipas komisionit të Vetingut, gjyqtari ka bërë deklarim të rremë të gjendjes cash prej 60 mijë eurosh në vitin 2008 si dhe ka bërë deklarim të pasaktë për vlerën e blerjes së një apartamenti.

Gjithashtu, KPK ka konstatuar se gjyqtari Lazaj ka dhënë para Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore midis tyre, që nuk përkojnë me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet rreth pasurisë së tij. Me zbardhjen e vendimit, Lazaj mund të kërkojë konfirmimin në detyrë tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut, i cili vendos në mënyrë përfundimtare fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse duhet të konfirmohen apo shkarkohen nga detyra. Ndërkaq, gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Lazaj ka bërë thirrje që mos t?i ndërpritet ëndrra.