Vdiq në urgjencën e Durrësit/ Vëllai: Mjekët s'e prekën motrën me dorë se ishte me baltë!

2018-08-31 0

Durrës- Mjekët e Spitalit të Durrësit janë vënë sërish në shënjestrën e denoncimit për neglizhencë. Këtë radhë janë mjekët e urgjencës të cilët janë akuzuar nga një qytetar që pretendon se bluzat e bardha nuk kanë kryer misionin e tyre dhe për pasojë motra e tij ka ndërruar jetë në duart e tyre.

Gazetari Artur Korriku raporton për Report TV se ngjarja ka ndodhur para 4 ditësh, ndërsa gruaja ishte gjetur buzë një kanali në zonën e Porto Romanos, e mbuluar nga balta pasi kishte konsumuar një dozë medikamentesh. Mësohet gjithashtu se ajo vuante nga çrregullimet mendore.Albert Dedej, vëllai i saj thotë se pasi e kishin gjetur në kanal e kishin dërguar me urgjencë motren Ervehe Dedej në urgjencë. Ai thotë se për tre orë me radhë nuk është vizituar nga mjekët. Sipas tij, bluzat e bardha nuk u angazhuan aspak në këtë rast pasi 56-vjecarja ishte bërë pis teksa ishte rrëzuar.

?Motrën e ka gjetur një qytetar të shtrirrë në një kanal në Bisht Pallë. Telefonohem nga babai pas 2 orësh, se motra ishte në urgjencë dhe askush nuk e prekte. Kam ndejtur edhe 40 minuta të tjera deri sa I vunë një serum?,- tregon Alberti për Report Tv.

Krahas denoncimit publik, Dedej thotë se do bëjë denoncim edhe në policinë e Durrësit me qëllim që kjo e fundit të nisë hetimet për rastin në fjalë. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë në urgjencën e Spitalit të Durrësit. Nga ana tjetër, mjekët deklarojnë se rasti është trajtuar me përkushtim maksimal por për fatin e keq pacientja ka ndërruar jetë.

Mjekësia ligjore po punon për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së 56-vjeçares, e cila sipas të afërmve është paraqitur e helmatisur nga medikamentet që kishte gëlltitur.