Ora News - Durrës, avokati dhunohet para Prokurorisë, ja rrëfimi

2018-07-19 0

Një avokat në Durrës ka denoncuar se është dhunuar nga dy persona. Avokati Ilia Ilia thotë se është dhunuar para prokurorisë së Durrësit.

Ngjarja sipas policisë u shënua rreth orës 10:45 minuta të 19 korrikut, "në afërsi të Prokurorisë është goditur me sende të forta nga dy persona shtetasi I.I. me profesion avokat, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën" informon policia e Durrësit.

Pas kësaj ngjarje ai ka marrë mjekim në spital dhe më pas ka bërë denoncimin në polici.

Ilia Ilia: "Sot dola nga seanca gjyqësore, rreth orës 10:30 nga prokuroria. Më doli fillimisht një person përpara dhe më thotë: Ti je ai që i ke bërë karshillik prokurorit. Nisi të thoshte fjalë fyese dhe sapo i lija çantën një tjetri më goditi. Kur më godit erdhi dhe personi tjetër. Dhe unë kundërveprova sa munda.

Avokati thotë se ka pasur një përplasje me një prokuror në seancë gjyqësore në kuadër të mbrojtjes së interesit klientit.

"Gjatë përplasjes i thashë nuk jam katunar si ty. Dhe prokurori më tha se për këtë do bëhesh pishman" shton avokati

Uniformat blu do marrin në pyetje avokatin për të sqaruar rrethanat e ngjarjes

Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/durres-nje-avokat-dhunohet-nga-dy-persona-para-prokurorise