Report TV - Erjon Braçe: Të rihapet dosja, auditim Rrugës së Kombit

2018-06-06 1

Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe i ka kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit riauditim për shpenzimet e Rrugës së Kombit, kostoja e së cilës ka shkuar mbi 1 miliard euro. Auditimi mund të risjellë rihapjen e dosjes së abuzimeve të kësaj rruge prej 230 milionë euro. I hetuar për shpenzimet ka qenë ish- ministri i Transporteve asokohe Lulzim Basha, sot në postin e kryetarit të PD, por dosja u mbyll me procedurë.

Kërkesën për riauditim Erjon Braçe ia bëri kreut të KLSH Bujar Leskaj, teksa ky i fundit raportoi sot përpara Komisionit të Ekonomisë për dëmin e shkaktuar nga korrupsioni gjatë 2017, që kap vlerën e 825.6 milionë eurosh. Problematikë për Kontrollin e Lartë të Shtetit vazhdon të jetë pushimi i kallëzimeve të bëra në Prokurori nga ky institucion.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Brace riktheu edhe një herë çështjen e privatizimit të Ish-Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë në kohën kur qeverisnin demokratët. Braçe kërkoi gjithashtu nga KLSH auditim të lejeve minerare dhe HEC-eve. Ndërkohë, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit raportoi vetëm para deputetëve socialistë. Nga opozita i vetmi i pranishëm ishte deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto.