Grabitet korrieri i Prokurorise se Durresit

2018-05-15 0

Korrieri i Prokurorisë së Durrësit u sulmua këtë të martë nga dy persona ende të paidentifikuar. Ai sapo kishte marrë postën me materiale të Prokurorisë, kur u godit fizikisht nga dy persona me kapele, që pasi e rrëzuan në tokë, i morën edhe korrespondencën e organit të akuzës. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 të paradites, pranë filialit të postës në lagjen 11 të Durrësit.

Autorët u larguan menjëherë pas ngjarjes, për të cilën është ngritur një grup i përbashkët hetimor mes Policisë dhe Prokurorisë së Durrësit. Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se materialet të cilat janë marrë nga dy grabitësit nuk klasifikohen si sekret shtetëror dhe se grabitja e tyre nuk rrezikon dekonspirimin e asnjë çështje që është nën hetim.

Në praktikën zyrtare, posta sekrete e prokurorive në rrethe përmban përgjithësisht materiale që vijnë nga SHISH, ose transkripte të përgjimeve nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ekspertët kanë sekuestruar disa kamera sigurie në zonë për të zbuluar rrugën që kanë ndjekur autorët, pasi vendi ku ndodhi sulmi nuk ka qenë i survejuar nga kamera sigurie. Policia ka marrë edhe dëshminë e korrierit, i cili pohoi se nuk i njihte personat, të cilët e goditën në mënyrë të befasishme dhe pasi i morën materialet u larguan me shpejtësi.

Tv Klan