Pas sekuestrimit të 613 kg kokainë në Durrës pak ditë më parë, në portin më të madh në Shqipëri kanë zbarkuar ekspertët e DEA-s amerikane. Report Tv ka siguruar pamjet e makinës së agjentëve të DEA-s në portin e Durrësit para dy ditësh. Qëllimi i mbërritjes ishte verifikimi i procedurave të lidhura me sekuestrimin e 613 kg kokaine. Agjentët janë të Byrosë së Athinës që mbulon edhe vendet e tjera të Ballkanit.
Ekspertët janë takuar me strukturat policore dhe doganore. Agjentët e DEA-s kanë kontrolluar mënyrën e procedimit të agjencive në portin e Durrësit në lidhje me hetimin e kokainës. Pritet që agjentët të kontrollojnë edhe kokainën që u sekuestrua.
Sipas burimeve të portit, nuk është hera e parë që Agjentët e DEA-s kanë qenë në portin e Durrësit dhe në Tiranë. Ata kanë ardhur në rastet kur janë kapur sasi drogash të forta dhe kanë qenë gjithmonë nën shoqërinë e prokurorëve të krimeve të rënda dhe hetimit doganor. Sasia rekord prej 613 kg kokainë e nisur nga Kolumbia u bllokua në Durrës të martën e kaluar.