Prokuroria e Tiranës duhet të hetojë skandalin e byzylyqeve, të cilat shërbimi i provës i kontraktoi dhe bleu për të burgosurit që dënohen nga gjykata jo me burg, por me mbikëqyrje elektronike.
Report Tv ka siguruar ekskluzivisht vendimin e gjyqtares Rexhina Merkila, e cila ka pranuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për t'u hetuar ky kallëzim i bërë kohë më parë nga ish ministri teknik Gazmend Bardhi. Pas kallëzimit të Bardhit, Prokuroria e Tiranës vendosi të mos fillojë procedimin penal ndërsa me këtë vendim të gjyqtares pritet që ky skandal tashmë të hetohet.
Ankimi në gjykatë u bë nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila këtë fakt e bëri publik dhe pak ditë më parë në takimin e fundvitit me gazetarët. Sipas vendimit të gjykatës organi akuzës nuk mund të pretendojë se nga materiali i kallëzuar nuk ka prova për të provuar ekzistencën e faktit penal.