Procesi i zbatimit të ligjit të Vetingut ka hyrë në një fazë të rëndësishme, atë të administrimit të dëshmive të qytetarëve kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë në praktika korruptive. Për herë të parë, qytetarët shqiptarë, të cilët kanë pasur përvoja negative në përballjen me drejtësinë, mund të japin kontributin për të larguar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar nga drejtësia e re.
Dështmitë e tyre për afera dhe emra konkretë do të kenë një rol vendimtar në procesin e skanimit të mbi 750 prokurorëve dhe gjyqtarëve për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgatitur një formular për denoncimet nga publiku, me qëllim informimin nga qytetarët mbi faktet ose rrethanat që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit.
Shqiptarja.com zbardh kushtet e dëshmisë dhe përfitimet e qytetarit që denoncon një gjyqtar, i cili ka marrë para në këmbim të dhënies së drejtësisë apo të marrjes së një vendimi të padrejtë kundër shtetit dhe individëve.