Report TV - Tiranë, plagoset 30-vjeçari te "Astiri", u qëllua pas sherrit

2018-05-09 0

TIRANE - Një 30-vjeçar është plagosur me armë zjarri në një prej zonave më të populluara të kryeqytetit, pranë "Astirit" në Unazën e Re.

I plagosuri është Gentjan Rrahmani i cili është qëlluar nga disa persona të paidentifikuar. Mësohet se më herët ka pasur një konflikt mes autorëve dhe të plagosurit. Ky i fundit ka marrë një plumb në trup dhe është transportuar menjëherë në drejtim të spitalit të Traumës ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë një telefonatë e banorëve të zonës që ka sinjalizuar policinë se disa persona kanë qëlluar me armë drejt një të riu.

Shqiptarja.com ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes. Policia ka ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Tiranës për kapjen e autorëve. Mendohet se ata janë larguar në drejtim të Kombinatit për të fshehur gjurmët. Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve përreth të cilat mund të kenë fiksuar momentin e të shtënave.