Pas ish - Presidentit Bujar Nishani, edhe deputetët e opozitës i kërkojnë kreut të shtetit, Ilir Meta të publikojë të dhënat e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të zhvilluar në 11 Nëntor të një viti më parë, në qendër të së cilës ka qënë çështja e drogës.
Në dokumentin që mban firmën e 7 deputetëve të Partisë Demokratike dhe atyre të LSI-së, opozita thotë se deklasifikimi i materialit nga ana e Presidentit Meta do t?i shërbente interesit publik për të bërë ballafaqimin me rezultatet e dhëna në atë mbledhje nga ana e institucioneve dhe angazhimin e qeverisë në luftën kundër drogës.
"Kërkesa jonë vjen si ndjeshmëri për situatën e rëndë të krijuar me përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e drogës dhe pas skandalit që ka dalë në media, ku rezulton nga hetimet e Prokurorisë së Katanias se ish-ministri i Brendshëm ka pasur lidhje direkt me aktivitetin kriminal të bandës së Habilajve".
Më herët, ish - Presidenti Bujar Nishani është shprehur se materialet e diskutuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 11 Nëntor të 2016-ës, nuk përbëjnë më sekret shtetëror, ndaj dhe deklasifikimi i tyre do të zbardhë të vërtetën lidhur me qëndrimet e mbajtura nga ish-kreu i shtetit, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore dhe organeve ligjzbatuese, lidhur me situatën e drogës dhe kanabisit në Shqipëri.
Përveç kërkesës për deklasifikimin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, opozita duket se ka rakorduar qëndrimet edhe për seancën plenare të së enjtes, pas takimit që kryetarja e LSI-së zhvilloi me Lulzim Bashën në selinë Partisë Demokratike.
Tv Klan