Një banesë është sulmuar me granata mëngjesin e sotëm në fshatin Drenovicë të Njësisë Administative Kutalli në Bashkinë e Urës Vajgurore.
Kamera e Report Tv mbërriti në shtëpinë e Kujtim Hoxhës, banesa e të cilit ishte objektiv i sulmit me municione luftarake.
Familjarët shprehen të alarmuar, ndërsa bëjnë të ditur se në momentin e hedhjes së granatave, ku për rrjedhojë njëra prej të cilave shpërtheu, kanë qenë në gjumë. Antoneta Hoxha, bashkëshortja e Kujtimit shprehet se "ngjarja na ka alarmuar të gjithëve, ishim në gjumë dhe kemi dëgjuar shpërthimin e madh". "Nuk kemi konflikt me askënd", thotë ajo. Gjashtë persona kanë qenë brenda në shtëpi në momentin e shpërthimit gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Dy granata ofensive u hodhën sot në banesën e familjes Hoxha, njëra prej të cilave shpërtheu, ndërsa tjetra u çaktivizua nga policia. Burime pranë policisë bëjnë me dije se po punohet për të zbardhur ngjarjen, por ende nuk ka persona të shoqëruar në polici.