TIRANE - Katër persona janë plagosur me armë zjarri në zonën e Laprakës pasditen e kësaj të premte. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Gjergj Legisi", fare pranë rrugës "Dritan Hoxha" ku ka pasur të shtëna brenda ambienteve të një lokali. Sipas bluve të plagosurit janë Eljon Leka, 31 vjeç, B. M., 31 vjeç, B. K., 33 vjeç, dhe A. B., 46 vjeç.
Policia bën të ditur gjithashtu se autori i plagosjes është pronari i lokalit i identifikuar si Arben Seferi, me origjinë nga Kukësi. Pas ngjarjes ai është larguar menjëherë, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Të plagosurit janë transportuar në drejtim të spitalit të Traumës dhe mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se shkak për ngjarjen ka qenë një sherr i momentit mes personave të plagosur dhe autorit të ngjarjes. Ende nuk dihet nëse palët e përfshira në konflikt janë persona me precedent penalë por policia vijon punën në këtë drejtim. Paralelisht do merren në pyetje edhe të plagosurit për të dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes.