http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pasi shpëtoi mrekullisht në vitin 2015 në një tentativë të pastër vrasjeje nga ish-bashkëshorti, Fildeze Hafizi nuk mundi të bëjë asgjë për të drejtat e saj, ndonëse i kërkoi ato në sistemin e drejtësisë, pjesë e së cilit ishte dhe vetë.
Gjyqësori dështoi me dhënien e vendimit për Fadil Kasemin, i cili edhe pas arrestimit nuk ka thënë asgjë për vrasjen makabre, por vetëm ka pranuar krimin.
Në vitin 2015 fill pas ngjarjes terrorizuese në plazhin e Golemit në Kavajë ku 53-vjecari tentoi të vrasë nënën e dy fëmijëve, klasifikimi i veprës penale nuk ishte vrasja e mbetur në tentativë, por vetëm armëmbajtja pa leje dhe dhuna në familje.
Në vendimin e zbardhur të gjykatës së Kavajës Fadil Kasemi dënohet me 3 vite burgim, në bashkim të dënimeve të dy veprave penale që parashikonin dënim me 4 vite e 6 muaj heqje lirie.
Vendimi u dha nga treshja gjyqtarëve, Eda Kaja, Markelian Koço e Luan Lusha, kryesues i trupit gjykues. Vendimi i shkallës së parë do të lihej në fuqi edhe nga gjykata e apelit Durrës me 16 shtator të vitit 2016. Por lehtësirat për Fadil Kasemin nuk do të përfundonin me kaq.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar 53-vjeçari do të përfitonte edhe nga amnistia që votoi parlamenti.
E gjendur përpara kësaj situate, Prokuroria kërkoi në apel ndryshimin e klasifikimit të veprës penale në vrasje të mbetur në tentativë dhe dënimin e Kasemit me 7 vite e 6 muaj heqje lirie. Rekursi i bërë në Gjykatën e Lartë mban datën 10 tetor të vitit 2016, e që prej asaj kohe ka mbetur në sirtarët e kësaj gjykate, duke mos dhënë drejtësi.
Tashmë pritet nisja e procedurave të inspektimit nga ana e KLD për treshen e gjyqtarëve të shkallës së parë në Kavajë por edhe ata të apelit në Durrës, por deri në atë kohë përfaqësues të KLD të pranishëm në ceremoninë mortore këtë të premte nuk kishin asnjë koment.