3 rafte me libra të djegur në Bibliotekën Kombëtare

2017-07-04 2

24 orë pas zjarrit që përpiu katin e tretë të nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare, ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmit që i është shkaktuar pasurisë kombëtare, librit. Në një njoftim të shpërndarë nga Biblioteka Kombëtare, thuhet se janë dëmtuar 3 rafte, pa sqaruar sa libra përmbajnë këto tre rafte. Pohohet se një pjesë e krijimtarisë së djegur është e pas vitit 2000.

Ato i përkasin fondit të përgjithshëm të gjuhës shqipe dhe të huaj, pa specifikuar se për cilët tituj behet fjale. Në njoftimin e saj, drejtorja Persida Asllani e vë theksin te paprekshmëria e fondit të vlerave të rralla, arkivit shqip dhe bazës elektronike të të dhënave kombëtare të Bibliotekës Kombëtare. Nga hetimet ende të pambyllura, burime thanë për Televizionin Klan, se shkak është bëre vendosja e librave deri në tavan. Kjo ka bërë që disa prej tyre të afrohen me llampat dhe të bien në flakë.

Ky dyshohet paraprakisht të jetë edhe shkaku që i vuri flakën shtëpisë së librit. Që prej pasdites së të mërkurës si dhe gjatë të enjtes ekspertët kriminalistë të policisë dhe ata të zjarrfikësve po këqyrin vatrën e zjarrit teksa vijohet me hetimet për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi penalë nga stafi i Bibliotekës Kombëtare. Incidenti i pari në historinë e saj, ka bërë që shërbimet zjarrfikëse të kërkojnë rivlerësimin e sistemit të sigurisë ndaj zjarrit me qëllim për të parë çfarë nuk funksionoi dhe që nuk arriti të kapej më shpejt në kohë problematika e mbrojtjes së librave nga rreziku i tyre më i madh, zjarri.

Tv Klan