AKBN hedh dyshime se Bankers Petroleum mashtroi me shpenzimet

2017-07-04 10

Shteti shqiptar do të kontestojë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar 247 milion dollarë shpenzime të cilat nuk ia njeh Bankers Petrolium për vitin 2011-të.

Në një raport të hartuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, thuhet se Bankers duhet të derdhë në buxhetin e shtetit 60 milion dollarë tatim fitim, pasi përmes mashtrimit të bilanceve ajo ka deklaruar shpenzime të fryra dhe në shkelje të kontratës që ka me Shqipërinë.

Kontrata e detyron koncesionarin e një ndër fushave më të mëdha naftëmbajtëse në Europë që të paguajë 50% fitimit në buxhet, por ka 11 vite që pronarët kanadezë të saj, e sot kinezë, deklarojnë se dalin me humbje.

Por kjo nuk rezulton kështu në gjetjet që ka bërë AKBN dhe drejtoria e tatimeve. Sipas tyre, Bankers ka mashtruar për tw fshehur fitimet dhe për tw shmangur taksat.

Mashtrimi është bere përmes investimeve. Tek investimet është shkelur edhe kontrata.

Çdo shpenzim që kalon vlerën 2 milion dollarë duhet të bëhet me tender, thuhet ne kontrate.

Por Bankers nuk ka vepruar kështu me 8 raste dhe me 8 kompani vetëm gjatë një viti.

Janë 114 milion dollarë shpenzime për ndërtime pusesh, të cilat Bankers i ka bërë me prokurim të drejtëpërdrejtë.

Dy firmat të cilat kanë marrë punët më të mëdha janë kanadezët e Simmons dhe shqiptarët e Albstar. Në raport citohet se edhe pse ka 1 951 kompani ndërtimi, ku 111 janë vetëm në zonën e Fierit, Bankers ka kontraktuar vetëm Albstar.

Një tjetër gjetje me shkelje sipas AKBN është edhe sasia e holluesit që Bankers ka marrë për të bërë shpimin e puseve, e cila ka qenë 2 fish mbi nevojat e vitit, dhe me çmim 30% më të lartë se ai i bursës. Edhe kjo sipas AKBN është bërë për të rritur shpenzimet, me qëllim që të mos deklarohet fitim dhe të mos paguhet tatimi mbi të.

Tv Klan