Pesë muaj nga rrëzimi i avionit Piper të drejtuar nga italiani Guido Guidi dhe dyshimeve se ky mjet fluturues do përdorej për trafik droge, piloti italian arrin të marrë pasaportën e bllokuar nga autoritetet shqiptare dhe lë si garanci për llogari të hetimeve 10 mijë euro.
Garancia e Guidit është pranuar këtë të martë në Gjykatën e Krimeve të Rënda aty ku Prokuroria e Krimeve ka qenë dakord që t'i rikthehet pasaporta pilotit Guido Guidi.
Ky është vendimi i dytë i ndërmjetëm për dosjen e avionit të Ishmit pas atij të disa javëve më parë ku Krimet e Rënda kanë vendosur që avioni i sekuestruar në Ishëm t'i rikthehet pronarëve të ligjshëm klubit të aeronautikës Savona.
Vetë Guidi pas arrestimit pranoi se kishte ardhur për të kryer trafik droge nga Ishmi drejt Italisë por këtë dëshmi ai e ndërroi duke shfaqur një qëndrim kontradiktor para hetuesve.