Javët dhe muajit e parë të vitit 2017 do të shënjohen nga identifikimi, dokumentimi dhe më pas nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë.
Nuk ka një afat të përcaktuar për nisjen dhe përfundimin e procesit të Vetingut, por ligji ka parashikuar gjyqtarët dhe prokurorët e parë, të cilët do t?i nënshtrohen të parët skanerit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me botën e krimit dhe aftësitë profesionale.
Pika 4 e nenit 4 të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligj i cili u konfirmuar fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pas nga Gjykata Kushtetuese, parashikon që, procesi i Vetingut do të nisë me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Më pas, në sitën e Vetingut do të kalojnë gjyqtarët e gjykatave të apelit, gjyqtarët e Krimeve të Rënda, prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe krerët e gjykatave dhe prokurorive. Konkretisht, ekspertë nga SHBA dhe BE, në koordinim me anëtarët e Komisionit të Rivlerësimit, do të marrin në dorë dosjet e pasurisë dhe të dhënat për lidhje me krimin, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Nisur nga hierarkia, Vetingu do të nisë me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Deden, për të vijuar me Vladimir Kriston, Vitore Tushajn, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxhën, Gani Dizdarin, Besnik Imerajn dhe Fatos Lulon. Pjesë e subjekteve të para që do t?i nënshtrohen Vetingut, do të jetë edhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Kreu i organit të akuzës duhet të justifikojë pasurinë me dokumentacion ligjor në të kundërt mund të largohet nga detyra para përfundimit të mandatit.